Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kanë inspektuar ambientet e reja të shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke u njohur nga afër me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve.
Gjatë vizitës, kreu i qeverisë theksoi se nuk duhet të ketë më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave, duke paralajmëruar një qasje të re në menaxhimin financiar të spitalit më të madh në vend.
Një tjetër element i planit për zhvillimin e QSUT-së lidhet me autonominë financiare, e cila pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, duke i dhënë spitalit më shumë pavarësi në menaxhimin e burimeve dhe investimeve.
Ndër përmirësimet e shërbimeve në strukturën e re është krijimi i një dhome të dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur nevojën për realizimin e tyre në reanimacion, çka pritet të rrisë sigurinë dhe cilësinë e kujdesit për pacientët.
Gjatë vizitës në Kardiokirurgji, ministrja Spahiu dhe kryeministri vlerësuan kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në këto struktura, duke u dorëzuar certifikata mirënjohjeje profesorëve dhe mjekëve Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari.
“Falënderimi është shumë i madh për të gjithë profesorët që kanë kontribuar dhe që për fat janë këtu me ne sot. Do bëjmë më të mirën në të gjithë shërbimet,” u shpreh ministrja Spahiu gjatë ceremonisë së mirënjohjes.
Vizita vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, me QSUT-në në qendër të reformës spitalore që synon standarde evropiane të kujdesit.
Burimi: Albania Express




Leave a Reply