Dokumentet personale po kalojnë në telefonat celularë: përmes aplikacionit të ri “M-Shërbime”, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mund të kenë version digjital të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, në fazën e parë të projektit. Dokumentet nuk do të jenë thjesht fotografi të kartelave plastike, por dokumente elektronike të lidhura me regjistrat zyrtarë shtetërorë.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që aplikacioni t’ua lehtësojë qytetarëve qasjen në shërbimet publike, të ulë barrën administrative dhe të shkurtojë kohën e procedurave. Euroambasadori Mihalis Rokas tha se aplikacioni është i sigurt dhe privat, dhe do t’u shërbejë edhe personave që udhëtojnë për punë dhe studentëve në shtetet e BE-së.
Aplikacioni është falas për Android dhe iPhone, ndërsa përdorimi i tij nuk do të jetë i detyrueshëm — qytetarët që nuk dëshirojnë ta përdorin do të vazhdojnë me dokumentet fizike. Pas shkarkimit, përdoruesi identifikohet përmes identitetit elektronik dhe aplikacioni lidhet me Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike, uslugi.gov.mk.
Burimi: TV21



