Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me 12 kamionë të tipit “Mercedes Unimog 5T” nga Gjermania. Kamionët, të blerë nga Kosova, kanë ardhur në vend të enjten dhe janë të përdorshëm për të gjitha llojet e terreneve, me kapacitet bartjeje deri në 5 tonë ngarkesë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, konfirmoi furnizimin dhe paralajmëroi ardhjen edhe të dhjetëra kamionëve të tjerë vitin e ardhshëm, përfshirë donacione nga Gjermania. Sipas tij, me 12 kamionët Unimog dhe tetë kamionët Rheinmetall të arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara nga këto dy kategori arrin në 35.

Kryeministri Albin Kurti tha se këto investime janë pjesë e angazhimit për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s.

Burimi: Koha