Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar episodin e pestë të sezonit të shtatë të podcastit “FLASIM”, të transmetuar këtë të diel, transformimit të Malësisë së Madhe dhe Përmetit, si dhe marrëdhënies së tij me rrjetet sociale. Të ftuar në studio ishin dy sipërmarrës që, pas vitesh pune jashtë vendit, janë kthyer për të investuar dhe ngritur biznese në Shqipëri.

Sipas Ramës, dhjetë vjet më parë këto dy zona dukeshin si pika pa perspektivë në hartën e vendit — “vende pa shpresë”, ku kush ishte aty dukej se të nesërmen nuk do të ishte më. Sot, tha ai, Malësia e Madhe dhe Përmeti janë kthyer në destinacione turistike të “Shqipërisë tjetër”, të ndërtuar me mund përmes turizmit dhe sipërmarrjes, edhe pse, sipas tij, nga Tirana shumëçka “mbulohet me retë artificiale” të rrjeteve sociale dhe ekraneve televizive.

Një moment interesant erdhi kur njëri nga sipërmarrësit, që ushtron aktivitetin në Malësinë e Madhe, tregoi se prej vitesh punon pothuajse pa internet e rrjete sociale. Rama pranoi se e ka zili për qetësinë që i jep kjo distancë, duke shtuar se një nga gjërat që do të bëjë kur të mos jetë më kryeministër është të ndërpresë përdorimin e rrjeteve sociale.

Burimi: Albania Express