Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, ka dhënë sqarime për aktvendimin për urdhrin mbrojtës për Arlinda Zekajn, në të cilin parashikohej edhe ndarja e shtëpisë me Jeton Sylajn, pavarësisht precedentit të tij penal.

Haxhijaj tha se shkresat e lëndës tashmë janë në posedim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pasi kryesuesi i Këshillit ka autorizuar drejtorin e inspektimit. Dy inspektorë i kanë marrë dokumentet dhe pritet të dalin me një raport të detajuar, nga dorëzimi i kërkesës deri në epilogun e saj.

Ai sqaroi se në raportet civile gjyqtari është i lidhur vetëm me kërkesën e palës dhe nuk mund të ndërmarrë asgjë jashtë saj. “Vetëm atë që kërkon pala, në këtë rast Zyra për Mbrojtjen e Viktimave dhe avokatja e të ndjerës, mund ta marrë parasysh”, deklaroi Haxhijaj, duke shtuar se gjyqtari ka vendosur në përputhje me kërkesën që ka pasur.

Burimi: Zhurnal.mk