Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kërkuar një zgjidhje politike për situatën e tensionuar në vend, duke e cilësuar largimin e kryeministrit Edi Rama si domosdoshmëri për rikthimin e paqes sociale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku akuzoi qeverinë se po nxit përplasjen mes qytetarëve, bizneseve dhe policisë, në vend që të adresojë shqetësimet e studentëve dhe krizën që po përjeton ekonomia dhe shoqëria shqiptare në tërësi.
“U bë dita e tretë që kryeministri, si lugat, del që në të gdhirë e më pas zhduket dhe flet për djegien e biznesit. Ata që e kanë djegur biznesin dhe kanë shkretuar Shqipërinë janë atje sot, duke e mbajtur pushtetin me zor. Shqipëria ka nevojë për një paqe sociale të re, ka nevojë për një zgjidhje politike, ka nevojë për largimin e Edi Ramës. Këto janë kërkesat e studentëve, këto janë kërkesat e biznesit”, tha mes të tjerash Tabaku.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se qeveria ka përgjegjësi për mbylljen e bizneseve vendase dhe shtimin e vështirësive për sipërmarrësit shqiptarë, duke shtuar se “bizneset janë me qytetarët” dhe duhen mbrojtur.
Burimi: Report TV




Leave a Reply