Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni do të nisin iniciativë për një debat mbikëqyrës në Kuvend për rastin “Alta Banka” dhe do të parashtrojnë interpelancë për guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski — njoftoi sot kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën për shtyp në Kuvendin e Maqedonisë.

“Hyrja e Alta Bankës në vend është një proces kriminal dhe duhet të ketë përgjegjësi”, theksoi Filipçe. Ai kërkoi përgjigje se si u lejua marrja e Stopanska Bankës Manastir nga Alta Banka, nëse u respektuan të gjitha procedurat, nëse u krye kontroll i origjinës së fondeve — duke kujtuar se Banka Qendrore Europiane ngriti alarm kur Alta Banka tentoi të blinte një bankë në një vend anëtar të BE-së.

Filipçe paralajmëroi se nëse opinioni nuk merr përgjigje, LSDM-ja do të kërkojë që Prokuroria të kyçet dhe ta zbardhë rastin. Ai rikujtoi se partia e tij paralajmëronte për operacionet e dyshimta të Alta Bankës që në dhjetor të vitit të kaluar dhe ngriti pyetjen nëse origjina e kapitalit prej rreth 150–180 milionë eurosh është kontrolluar para se të hynte në Maqedoni.