Ndërmjetësit e Katarit i paraqitën Iranit të dielën një draft të ri marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me SHBA-në dhe Izraelin, të cilin Teherani po e shqyrton dhe pritet t’i përgjigjet deri në fund të javës, tha të mërkurën një zyrtar me njohuri mbi negociatat.
Drafiti i ri përcakton një afat shtatëditor që adreson shqetësimet si të Teheranit ashtu edhe të Uashingtonit, me hapa të përditshëm për ndërtimin e besimit që secila palë duhet të ndërmarrë, tha zyrtari. Afati mund të nisë që në fillim të javës së ardhshme, ndërsa disa vende do të veprojnë si garantuese të marrëveshjes.
Katari, së bashku me Pakistanin, udhëheq ndërmjetësimin për t’i dhënë fund luftës që SHBA-të dhe Izraeli nisën në shkurt. Një përpjekje e mëparshme ndërmjetësimi solli një marrëveshje të përkohshme paqeje në qershor, por ajo u prish shpejt.
Përpara takimit të së dielës në Teheran kishte shqetësime se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të rifillonte sulmet ndaj Republikës Islamike këtë javë. Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të premten kërcënimet për të goditur sërish Iranin, ndërsa zyrtarë iranianë të sigurisë i thanë Reuters se Teherani ka përgatitur plane për të sulmuar kabllot nënujore në Gjirin Persik nëse sulmet rifillojnë.
Koha është kritike: zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA mbahen më 3 nëntor, gjashtë ditë larg. Wall Street Journal raportoi se SHBA-të i kanë paralajmëruar shtetet e Gjirit të përgatiten për një fushatë ushtarake të shkurtër dhe intensive pas zgjedhjeve kundër Iranit.




Leave a Reply