TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se parlamenti i ardhshëm do të miratojë një hartë të re për të rikthyer qeverisjen vendore te komunitetet dhe qytetarët, duke e kthyer në realitet premtimin për 100 bashki, që sipas tij do të jetë një nga shtyllat kryesore të ripopullimit të vendit.
Në një prononcim pas votimit të reformës territoriale nga mazhoranca, Berisha mbrojti angazhimin e opozitës në debat, duke thënë se demokratët paraqitën në Kuvend projektin e tyre për 100 bashki dhe e mbrojtën atë në një debat prej 14 orësh, me argumente dhe fakte. Sipas tij, opozita u bë zëdhënëse e interesave të të gjithë qytetarëve, demokratë, socialistë dhe të paparti, në bashkitë që po shkrihen.
“Opozita ia përplasi në surrat Edi Ramës 14 orë debat. Edi Rama nuk donte as 5 minuta debat dhe kishte ardhur me projektin që ta votonte për 30 sekonda, por ne ia dogjëm atë projekt”, u shpreh Berisha, duke shtuar se qeveria kishte hartuar një projekt për 45 bashki, ndërsa opozita paraqiti alternativën e saj.
Kreu i PD-së hodhi poshtë kritikat se opozita nuk bëri mjaftueshëm për të penguar miratimin e reformës, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës qeveritare. Ai theksoi se angazhimi i opozitës erdhi sepse qytetarët kërkonin që demokratët të përfshiheshin në proces dhe të mos ia linin tryezën bosh mazhorancës.
Reforma territoriale u miratua me 85 vota nga mazhoranca socialiste dhe aleatët e saj, duke e ulur numrin e bashkive nga 61 në 46, pavarësisht kundërshtimit të fortë të opozitës dhe protestave që shoqëruan seancën.
Burimi: pd.al




Leave a Reply