Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar koalicionin VLEN për mungesë veprimi konkret lidhur me rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga zyrtarë policorë. Sipas BDI-së, VLEN-i nuk mund të mjaftohet me deklarata për sundimin e ligjit, ndërsa si pjesë e pushtetit duhet të kërkojë transparencë, hetim të plotë dhe përgjegjësi institucionale.
Në reagimin e publikuar më 10 tetor, BDI thekson se çështja nuk duhet të zhvendoset te përkatësia etnike e policëve, por te faktet: a ka pasur dhunë, kush mban përgjegjësi dhe a kanë vepruar institucionet në mënyrë të paanshme dhe me kohë. „Është e lehtë të thuhet se dhuna nuk justifikohet me uniformë dhe se shkelësit duhet të përgjigjen para ligjit. Por, kur je pjesë e pushtetit, nuk mjafton të shprehësh shqetësim dhe të presësh përfundimin e hetimeve. Kërkohet përgjegjësi politike, veprim institucional dhe garanci se raste të tilla nuk do të relativizohen apo të mbulohen“, thuhet në reagim.
BDI përsërit kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përgjegjësi institucionale e politike, duke kërkuar edhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, për mënyrën se si po trajtohet ky rast. „Drejtësia nuk mbrohet me deklarata, por me veprime konkrete. Kur dy të rinj denoncojnë dhunë nga policia, pushteti nuk mund të mjaftohet me fjalë – ai duhet të garantojë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë“, thekson BDI-ja.
Kujtojmë se rasti i dy të rinjve që pretenduan dhunë policore në Shkup ka shkaktuar reagime të forta politike ditët e fundit. Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me njoftim zyrtar, ndërsa ministri ka urdhëruar hetim të plotë të ngjarjes. Debati ka marrë edhe përmasa etnike në diskursin publik, çka BDI-ja e cilëson si shmangie nga thelbi i çështjes.
Përplasja mes BDI-së dhe VLEN-it rreth këtij rasti pasqyron tensionin në rritje mes dy blloqeve politike shqiptare, në një periudhë kur vëmendja politike është përqendruar edhe te zgjedhjet lokale në disa komuna.
Burimi: Press Online




Leave a Reply