Konsorciumi ndërkombëtar “Të Bashkuar kundër Torturës” (UATC) dhe Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Traumës (ARCT) kanë shprehur të premten përmes një deklarate të përbashkët shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve në Shqipëri — duke denoncuar atë që e quajnë “brutalitet policor”.

Organizatat thonë se kanë mbledhur dëshmi nga më shumë se 75 pjesëmarrës në protesta dhe kanë marrë mbi 100 kërkesa për ndihmë mjekësore e ligjore. Sipas të dhënave të dokumentuara: të paktën 320 persona janë plagosur gjatë demonstratave deri më 24 tetor; mbi 50 persona janë arrestuar, mes tyre 18 fëmijë pa një masë sigurimi nga gjykata; përdorimi i plumbave prej gome shkaktoi dëmtim serioz në sy; 20 raste të gjuhës së urrejtjes nga efektivë policie; ndërsa 32 persona të mbajtur në komisariatet nr. 1 dhe nr. 3 raportuan dhunë fizike dhe mungesë ushqimi për më shumë se 14 orë.