Tetë persona, mes tyre dy mësuese, u vranë dhe një tjetër u plagos rëndë në një seri sulmesh me armë zjarri në provincën Afyonkarahisar, në perëndim të Turqisë. Autori i dyshuar u arrestua në provincën fqinje Eskişehir.

Sipas autoriteteve turke, i dyshuari, Arif Sefa Özdemir, 28 vjeç, ndalonte automjete rastësisht në rrugë dhe hapte zjarr ndaj pasagjerëve. Sulmet ndodhën në disa fshatra rurale të rrethit İhsaniye.

Sulmi i parë u krye në fshatin Yukarıtandır, ku u vra një person dhe një tjetër u plagos rëndë — i plagosuri ndërroi jetë më vonë në spital. I dyshuari mori me forcë një automjet dhe u drejtua për në fshatin Ayazini, ku vrau tre persona të tjerë brenda një makine. Sulmet vazhduan në fshatin Kıyır, ku vrau dy persona brenda një automjeti dhe një tjetër rreth një kilometër larg tij.

Mes viktimave janë edhe dy mësueset Ayşe Sena Demir dhe Hilal Mete, të cilat punonin në shkollën e mesme İhsaniye Yukarıtandır. Drejtoria provinciale e Arsimit konfirmoi identitetin e tyre dhe shprehu ngushëllime për familjet dhe komunitetin arsimor.

Pas sulmeve, i dyshuari u largua nga Afyonkarahisari me një tjetër automjet të marrë me forcë dhe u drejtua drejt provincës Eskişehir, ku u arrestua i gjallë në zonën Seyitgazi, pas një operacioni të përbashkët të policisë dhe xhandarmërisë. Gjatë operacionit, ai dyshohet se hapi zjarr ndaj efektivëve, duke plagosur lehtë dy xhandarë.

Zyra e Guvernatorit të Afyonkarahisarit konfirmoi bilancin prej tetë viktimash, ndërsa Prokuroria ka nisur një hetim, duke caktuar një zëvendëskryeprokuror dhe tre prokurorë për ndjekjen e çështjes. Autoritetet po hetojnë edhe nëse një grua e gjetur e qëlluar me armë zjarri brenda një makine në lagjen Osman Gazi, rreth orës 15:30, lidhet me të njëjtin të dyshuar. Motivi i sulmeve ende nuk është bërë i ditur.