Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, njoftoi të enjten dorëheqjen e tij, pasi kolapsi i huadhënësit digjital ueno la rreth 3 milionë klientë pa qasje në llogaritë e tyre dhe ndezi protesta në të gjithë vendin.

Peña e njoftoi vendimin në një video-mesazh të regjistruar, duke thënë se po tërhiqet “duke pasur parasysh stabilitetin e vendit tonë, paqen sociale dhe nevojën për të ruajtur institucionet tona demokratike”.

Kriza nisi të martën, kur banka qendrore e Paraguait ndërhyri në ueno, pasi përcaktoi se raporti i saj i aftësisë paguese kishte rënë nën gjysmën e minimumit ligjor. Banka, e cila administronte afro 850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë paratë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore që financon pensionet dhe kujdesin shëndetësor, la rreth 3 milionë klientë — në një vend me 6,5 milionë banorë — pa mundësi për të tërhequr paratë e tyre.

Dorëheqja erdhi ndërsa opozita kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të nisur procedurën e shkarkimit (impeachment) ndaj tij. Ligjvënësit e akuzuan Peñan për konflikt interesi, keqpërdorim të fondeve të pensioneve dhe fshehje institucionale të lidhura me kolapsin e uenos, bankë me të cilën ai kishte lidhje biznesi në të kaluarën përmes konglomeratit Grupo Vázquez. Dhoma e Ulët votoi unanimisht, 78-0, për shkarkimin e tij, vetëm pak minuta pasi ai njoftoi dorëheqjen, duke i dërguar akuzat në Senat — ku nevojitet shumicë prej dy të tretash për dënim.

Pritet që Kongresi ta pranojë dorëheqjen, duke i hapur rrugën zëvendëspresidentit Pedro Alliana të marrë detyrën pa një proces në Senat. Kongresi mblidhet në orën 14:00 me orën lokale për të pranuar zyrtarisht dorëheqjen, ndërsa Alliana pritet të betohet rreth orës 15:30. Dorëheqja duhet të ratifikohet nga Senati.

Pasojat e krizës tashmë kanë përfshirë dorëheqjen e guvernatorit të bankës qendrore të martën dhe ndalimin e tetë drejtuesve të uenos. Peña, aleat i presidentit amerikan Donald Trump, kishte humbur edhe mbështetjen e anëtarëve të partisë së tij konservatore, Partido Colorado. Ai ishte zgjedhur në prill 2023 dhe mori detyrën në gusht të atij viti, me mandat pesëvjeçar deri në vitin 2028.