Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës së djeshme në Tiranë, ka pësuar hemorragji gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të ditës së shtunë.
Sipas burimeve të Report.al, për shkak të komplikacioneve të shfaqura gjatë operacionit, ndërhyrja është ndërprerë dhe është vendosur që operacioni të kryhet gjatë ditës së sotme, 25 tetor. Mësohet se plumbi i gomës nuk është hequr ende nga syri i të riut, ndërsa pritet që mjekët të vijojnë ndërhyrjen për heqjen e tij.
Vishkulli, pjesë e grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, u godit në sy gjatë përplasjeve të pasdites së shtunë në bulevard, në ditën e 12-të të protestave studentore. Mbrëmjen e djeshme u raportua se operacioni kishte përfunduar, por të dhënat e reja të mëngjesit të sotëm tregojnë se ndërhyrja u ndërpre për shkak të hemorragjisë dhe do të vijojë sot. Ende nuk dihet nëse shikimi i syrit të majtë është dëmtuar.
Protesta e djeshme la 13 persona të plagosur, mes tyre efektivë policie, ndërsa bilanci i plotë i të lënduarve nuk ishte publik as pas orës 20:00 të mbrëmjes. Studentët kanë njoftuar protestë të re sot në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur sot ftesën për dialog ndaj studentëve dhe të rinjve, duke vendosur këtë herë një tavolinë të madhe prej guri, të rrethuar me karrige guri dhe druri, përpara godinës së Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”. Kjo është një tjetër formë simbolike e zgjedhur nga kryeministri, pas karrigeve prej druri dhe ulëseve prej betoni të vendosura ditët e mëparshme. Ftesat e mëparshme nuk janë pranuar nga protestuesit, të cilët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.
Burimi: Report TV / Top Channel




Leave a Reply