Tre protestues kanë paditur kryeministrin Edi Rama në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për veprat penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”. Beonard Prençi, Ervin Vrioni dhe Algert Fejza u paraqitën sot në GJKKO bashkë me avokatin Altin Goxhaj për të depozituar padinë.

Shkaku është publikimi nga Rama, më 23 tetor, i fotove të tyre me pretendimin se kishin precedentë penalë — pretendime që të tre i kundërshtojnë. Sipas avokatit Goxhaj, ata kanë paraqitur dëshmitë zyrtare të penalitetit, të cilat tregojnë se nuk kanë dënime, dhe kërkojnë që kryeministri të paraqitet vetë në seancën e parë. “Këtu jemi për pjesën penale, shumë shpejt do jemi edhe për pjesën civile”, deklaroi Goxhaj para godinës së SPAK.