Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë pritet të nisë në vitin 2027, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve për shfrytëzimin e burgut në Gjilan. Kështu u tha në një konferencë ndërkombëtare për zbatimin e marrëveshjes, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Drejtoresha ekzekutive e qendrës, Feride Rushiti, tha se marrëveshja hyri në fuqi në qershor të vitit 2024 dhe parashikon që Kosova të strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, nën administrimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ajo theksoi se vendi ndodhet tashmë përballë realitetit të zbatimit të saj.
Konferenca synoi të diskutojë sfidat ligjore, përgjegjësitë institucionale dhe përgatitjet operacionale për transferimin, me fokus garantimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të të burgosurve që do të transferohen në Kosovë.
Burimi: Telegrafi



