Një 27-vjeçar dhe një foshnjë tre muajshe u gjetën të vdekur mëngjesin e 1 nëntorit në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit. Policia mori njoftimin rreth orës 08:47 dhe në vendngjarje dolën njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, i cili konstatoi vdekjen e të dy personave.

Trupat e pajetë u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes dhe si i dyshuar u arrestua babai 65-vjeçar i viktimës, i ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Rasti, i cilësuar tashmë si “vrasje e rëndë”, po hetohet nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë për ndriçimin e plotë të rrethanave.

Burimi: Telegrafi