Është tensionuar protesta e ditës së 13-të studentore në Tiranë. Pas grumbullimit të paralajmëruar për orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, të rinj me maska kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së ministrisë, ndërsa më pas protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj, e cila po ndjek nga terreni zhvillimet, tensionet e para nisën pasi protestuesit qëndruan për disa minuta në qetësi. Më pas, të rinj me maska nisën hedhjen e gurëve drejt Ministrisë. Deri në ato momente, policia nuk kishte reaguar.

Policia ishte vendosur në anë të godinës së Ministrisë, ndërsa autobotët qëndronin si gjithmonë në rrugë. Sipas raportimeve nga terreni, forcat e policisë krijuan një kordon sigurie pranë ministrisë dhe qëndruan në gatishmëri, duke monitoruar zhvillimet, pa ndërhyrë për shpërndarjen e turmës.

Pas incidenteve, grupe të rinjsh nisën të lëviznin në këmbë drejt godinës së Kryeministrisë. Pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit vijuan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ende nuk është e qartë nëse protestuesit do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë apo do të rikthehen sërish te Ministria e Arsimit.

Protesta e sotme vjen një ditë pas protestës kombëtare të së shtunës, e cila u shoqërua me incidente të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, duke lënë 23 persona të plagosur, mes tyre edhe 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy dhe u nis sot drejt Italisë për një ndërhyrje të specializuar.