Mediat italiane Corriere della Sera dhe Sky.it i kanë kushtuar vëmendje protestës së zhvilluar sot në Tiranë, duke raportuar për përplasjet mes studentëve dhe policisë pranë Ministrisë së Arsimit.

Corriere della Sera shkruan se, ndërsa një pjesë e demonstruesve u përfshinë në përplasje me policinë, pjesa tjetër vijoi protestën me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas gazetës italiane, disa protestues hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa efektivët u kundërpërgjigjën me autobotë uji; tre kazanë mbeturinash u përfshinë nga flakët. Protestës, sipas Corriere-s, i janë bashkuar edhe qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.

Sky.it raporton për përshkallëzimin e situatës: pavarësisht shiut dhe pakësimit të numrit të protestuesve, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku disa qindra demonstrues hoqën pllakat e trotuarit përgjatë bulevardit dhe i hodhën drejt efektivëve — me policinë që ndërhyri me gaz lotsjellës dhe tre autobotë uji për të shpërndarë turmën. Sky News britanike gjithashtu ka publikuar pamje nga përplasjet, duke theksuar se studentët kërkojnë uljen e tarifave, rritjen e investimeve në arsim dhe luftën kundër korrupsionit.