Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një sërë masash të reja për mbrojtjen dhe edukimin e të miturve, pas shqetësimeve për rritjen e dhunës mes të rinjve dhe pjesëmarrjen e të miturve në protesta.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama bëri të ditur se do të nisë një diskutim publik me prindërit, mësuesit dhe shkollat për vendosjen e kufizimeve të moshës në platformat sociale, duke shqyrtuar mundësinë e një kufiri 16 apo 18 vjeç. Ai propozoi gjithashtu penalitete financiare për familjet në rastet kur fëmijët shkaktojnë dëme, ndërsa njoftoi rritjen më shumë se dyfish të mbështetjes financiare për studentët që vijnë nga familjet në nevojë — deri në gjysmën e pagës minimale. Rama bëri të ditur gjithashtu se nga viti i ardhshëm fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00.