Një operacion i gjerë ndërkombëtar i koordinuar nga Europol dhe Eurojust ka shkatërruar një rrjet kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarë përmes platformave online të investimeve — në operacion morën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova. Shtatë persona u arrestuan dhe mbi 100 serverë u sekuestruan.
Sipas njoftimit të Europol-it, aksioni u zhvillua më 3 nëntor në Gjermani, Qipro, Finlandë, Shqipëri, Izrael, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, me drejtimin e Prokurorisë Publike të Itzehoe në Gjermani. Në shënjestër ishte një kompani që dyshohet se furnizonte grupe kriminale me platforma të rreme tregtimi — një model “krimi si shërbim” — ndërsa hetuesit identifikuan klientë të dyshuar që administronin qendra telefonike mashtruese në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Viktima potenciale në më shumë se 50 vende, dëme të vlerësuara mbi 4 milionë euro.
Hetimi nisi në vitin 2022 pasi një çift gjerman denoncoi se nuk mund të tërhiqte kursimet nga një platformë online. Në aksion u kontrolluan 17 ambiente — përfshirë një qendër telefonike në Kosovë, ku policia bastisi 5 lokacione dhe arrestoi 3 persona (M.P., I.H. dhe F.Z.). Në Shqipëri morën pjesë SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit. Eurojust koordinoi veprimet gjyqësore nga Haga përmes dy ekipeve të përbashkëta hetimore (Gjermani–Poloni–Shqipëri dhe Shqipëri–Kosovë). Për të arrestuarit po konsiderohet ekstradimi në Gjermani.




Leave a Reply