Komisioni Europian do të paraqesë të mërkurën për herë të parë një udhërrëfyes për përfundimin e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën — dhe Shqipëria mund të arrijë fazën përmbyllëse të negociatave në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028. Detajet i zbulon ekskluzivisht Top Channel, përmes gazetarit Muhamed Veliu.
Dokumenti, të cilin do ta prezantojë komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, është ndërtuar mbi bazën e dhjetë raporteve të progresit për këto vende. Një burim diplomatik në Bruksel që e ka parë draftin ndau detajet me Veliun: Komisioni pritet të vlerësojë përparimin e konsiderueshëm të Shqipërisë në negociata — në pak më shumë se një vit janë hapur të gjithë grup-kapitujt, ndërsa janë përmbushur edhe objektivat e ndërmjetëm për Grup-Kapitullin 1.
Sipas projeksionit të udhërrëfyesit, Shqipëria dhe Moldavia mund të përfundojnë negociatat në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, ndërsa Ukraina deri në fund të vitit 2029. Afati përputhet me ambicien e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Marta Kos pritet të deklarojë se Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti. Dokumenti është ende nën embargo dhe disponohet nga përfaqësitë e katër vendeve në Bruksel.




Leave a Reply