Një ushtar i Forcave të Armatosura është plagosur me armën e shërbimit pasditen e sotme në Bazën Ajrore të Kuçovës. Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:46, ndërsa Ministria e Mbrojtjes konfirmon se efektivi me inicialet E.D. ka marrë një plagë me armë zjarri në shpatull.

Sipas njoftimit zyrtar, ushtarakut i është dhënë menjëherë ndihma e parë dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku sipas vlerësimit të mjekëve parametrat jetësorë të tij janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për trajtim më të specializuar, efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.

Media raportuan më herët, duke u referuar burimeve spitalore, se bëhet fjalë për vetëplagosje me plumb në kraharor, por Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende një përfundim zyrtar mbi mënyrën se si ka ndodhur plagosja. Policia Ushtarake ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të incidentit. Ministria bën me dije se po ndjek nga afër gjendjen shëndetësore të ushtarakut.