Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer kontrolle të jashtëzakonshme në Radovish dhe në fshatin Pepelisht të Negotinës, ku ka sekuestruar rreth 2 tonë mish dhe produkte mishi të pasigurta. Produktet, sipas agjencisë, ruheshin dhe shiteshin në kushte të papërshtatshme dhe pa deklaratë origjine, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Në Radovish u sekuestruan mish i freskët dhe i ngrirë si dhe përpunime mishi, të cilat do të shkatërrohen në deponinë “Drisla”. Në Pepelisht, te një person fizik që prodhonte dhe shiste produkte të tymosura përmes rrjeteve sociale pa miratim nga agjencia, u sekuestruan edhe 50 kilogramë të tjerë produkte mishi.

Institucionet kompetente njoftojnë se kontrollet inspektuese do të vazhdojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e prodhimit e tregtisë së paligjshme të ushqimit të pasigurt.

Burimi: Alsat