Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish thirrjen për dialog me studentët, por këtë
herë me një ndryshim: përpara godinës së Kryeministrisë, këtë të hënë, është vendosur
një tavolinë prej guri, mbi të cilën janë vendosur letrat që bëjnë thirrje për dialog.

Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë ka ndarë pamjet e tavolinës së gurit para
Kryeministrisë, si një tjetër përpjekje simbolike për të ftuar të rinjtë në dialog,
pasi prej dy javësh vijojnë protestat duke kërkuar largimin e tij nga detyra.

Ndryshimi vjen pas incidenteve gjatë protestave të ditëve të fundit, kur studentët u
kanë vënë flakën karrigeve të vendosura për dialog para Kryeministrisë dhe kanë
rrokullisur gurët e vendosur më herët, duke shprehur refuzimin e tyre për të marrë
pjesë në dialog me kryesocialistin.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur në ambientet përpara Kryeministrisë ishin vendosur
karrige, këtë herë është zgjedhur një tavolinë prej guri — një strukturë që, ndryshe
nga karriget, nuk mund të digjet lehtë.

Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët vijojnë të këmbëngulin në
kërkesën për largimin e tij nga posti i kryeministrit. Ata e konsiderojnë dialogun
të papranueshëm për sa kohë kjo kërkesë nuk plotësohet.