Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit në ditën e pestë të protestave, rreth orës 11:00 të paradites së sotme.

Sipas Top Channel, në marshim marrin pjesë studentë, përfshirë edhe ata të Mjekësisë, të cilët u nisën nga pika e grumbullimit drejt godinës së ministrisë.

Forcat e policisë janë rreshtuar para godinës së Ministrisë së Arsimit, e cila u dëmtua gjatë përplasjeve të ditëve të kaluara. Pranë tyre janë bërë gati edhe autobotet me ujë, në gatishmëri për ndërhyrje nëse situata përshkallëzohet.

Marshimi i sotëm vjen ndërsa protesta e ditës së pestë po zhvillohet edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Durrësin, ku policia ka nisur shoqërimet e protestuesve të grumbulluar para bashkisë.

Burimi: Top Channel