Kryeministri Edi Rama ka vendosur çdo mëngjes letra me mbishkrimin “Dialog” mbi tavolinën e gurtë përpara godinës së Kryeministrisë, si ftesë për bisedime me studentët dhe protestuesit. Por përgjigjja e qytetarëve mbetet e njëjtë: “Dorëheqje!” — dhe këtë herë protestuesit kanë zgjedhur ta gdhendin mesazhin mbi tavolinën e gurit, simbolin e përpjekjeve të kryeministrit për të hapur një tryezë bisedimesh.

Ftesat e përsëritura nuk kanë gjetur përgjigje pozitive nga protestuesit, të cilët këmbëngulin se nuk pranojnë të ulen në dialog me kryeministrin për sa kohë kërkesa e tyre kryesore — largimi i tij nga pushteti — nuk plotësohet. Më herët protestuesit kishin djegur karriget e dialogut dhe kishin rrokullisur gurët e vendosur nga kryeministri.