Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi të enjten projektbuxhetin për vitin 2027, në të cilin shëndetësia parashikohet të marrë rreth 87,2 miliardë lekë. Kjo është një rritje prej 5,6 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa shpenzimet publike në total pritet të kalojnë 10 miliardë euro, me të ardhura buxhetore rreth 9,4 miliardë euro.

Sipas ministrit, financimi synon përmirësimin e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen e pacientëve. Masat kryesore përfshijnë 1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë, si dhe rehabilitimin dhe ndërtimin e 20 spitaleve në vend.

Si prioritete kryesore të projektbuxhetit, Malaj renditi mirëqenien sociale, stabilitetin fiskal dhe investimet, si dhe reformat dhe integrimin evropian. Ai përmendi gjithashtu rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si pjesë e paketës së masave të parashikuara për vitin e ardhshëm.

Burimi: Dritare.net