Tubimi i paralajmëruar për orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit u kthye në përplasjen e parë të vërtetë të ditës së 12-të të protestës studentore.
Protestuesit e mbledhur para ministrisë nisën të thyejnë dhe të shkulnin pllakat e trotuareve, të cilat më pas i hodhën në rrugë. Katër kazanë mbeturinash u morën nga Rruga e Durrësit, u çuan në rrugicën ngjitur me hyrjen e ministrisë, ku ishin vendosur edhe forcat e policisë, dhe u vunë flakën. Protestuesit i drejtuan koshat e djegur në drejtim të efektivëve dhe hodhën gurë në drejtim të Policisë së Shtetit.
Policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Dy autobotë ujëhedhës u pozicionuan para Ministrisë së Arsimit, ndërsa efektivët avancuan në drejtim të protestuesve dhe nisën shpërndarjen e tyre nga zona e Rrugës së Durrësit. Sipas Top Channel, policia përdori gjithashtu plumba gome, ndërsa protestuesit hodhën fishekzjarre drejt efektivëve teksa këta të fundit avanconin.
Report.al konfirmon të njëjtën skemë: protestuesit hodhën gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e tyre. Numri i studentëve dhe qytetarëve përpara Ministrisë së Arsimit ishte i lartë.
Një moment i veçantë shënoi takimin e dy tubimeve: pas rreth një ore para Kryeministrisë, protestuesit e PD-së marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, por në hyrje të Rrugës së Durrësit u pritën nga të rinjtë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Vetëm studentët” — një shenjë e qartë se studentët nuk i mirëpritën militantët e partisë në tubimin e tyre.
Protesta e sotme është tubimi kombëtar i ditës së 12-të, në të cilin studentë nga i gjithë vendi, pedagogë, mjekë, artistë dhe sindikata u mblodhën në Tiranë, pas marshimit të PD-së në mesditë drejt Kryeministrisë, ku u dogjën jastëkët e tavolinës së dialogut të vendosur nga kryeministri Rama.
Burimi: Top Channel / Report TV




Leave a Reply