Ka përfunduar pas gati 7 orësh ndërhyrje kirurgjikale operacioni për heqjen e plumbit të gomës nga syri i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u trajtua në Romë nga një ekip i specializuar mjekësor, raporton Report TV.

Ndërhyrja, e cilësuar si e një shkalle të lartë vështirësie, u realizua nën drejtimin e kirurgut italian, profesor Stanislao Rizzo, drejtor i Departamentit të Okulistikës në Policlinico Universitario Agostino Gemelli.

Sipas burimeve mjekësore, operacioni paraqiste vështirësi të konsiderueshme për shkak të pozicionit të plumbit, në afërsi të strukturave kraniale. Pacienti rrezikonte dëmtime të rënda neurologjike, që mund të preknin edhe syrin tjetër, si dhe komplikacione serioze në tru.

Sipas informacioneve, struktura e syrit është ruajtur e plotë pas ndërhyrjes. Megjithatë, do të nevojitet kohë për të vlerësuar nëse do të jetë i mundur rikuperimi i plotë i shikimit, ndërsa gjendja e tij do të kërkojë ndjekje të mëtejshme mjekësore.

Vishkulli u plagos në sy më 24 tetor gjatë protestës në Tiranë, pasi u godit me plumb gome, dhe pas trajtimit të parë në Spitalin e Traumës u transferua në Romë për trajtim të specializuar.