Pedagogët e universiteteve publike dhe private iu bashkuan sërish sot studentëve në protestën pranë Parlamentit, në ditën e tretë të marshimit të tyre, duke kundërshtuar deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, se qindra prej tyre janë të lidhur me PD-në.

Akademikët deklaruan se organizimi i tyre është i pavarur dhe se kauza e studentëve nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike, përfshirë edhe opozitën.

Për të tretën ditë radhazi, pedagogët u mblodhën fillimisht në Universitetin Politeknik, ndërsa në universitete vijon bojkoti i mësimit. Para se të niseshin drejt studentëve, ata e cilësuan sheshin e protestës "auditorin më të madh të demokracisë". Marshimi u zhvillua përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe Unazës së Vogël, ku iu bashkuan studentët përballë Akademisë së Shkencave.

Pedagogia Mimoza Manxhari tha se qeveria po përpiqet ta delegjitimojë protestën duke e paraqitur si një tubim të dhunshëm: "Jo, kjo është një protestë qytetarësh që kërkojnë të rikthejnë besimin te vota dhe te mundësia reale për të ndryshuar qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve". Ervin Goci kërkoi një rol më drejtues të pedagogëve në protestë.

Pas mbërritjes së pedagogëve, një pjesë e protestuesve çanë kordonin metalik dhe iu afruan efektivëve të policisë, por tensioni zgjati vetëm pak minuta.

Nga protesta, pedagogët iu përgjigjën deklaratës së një dite më parë të Sali Berishës, i cili tha se "qindra pedagogët, të lidhur me Partinë Demokratike, janë sot krahas të tjerëve në protestë". Enkeleda Olldashi, bashkëshortja e të ndjerit Sokol Olldashi, kundërshtoi përcaktimin: "Të dyja forcat politike, PD dhe PS, po përpiqen ta minojnë, secila në formën e saj. Kështu që kjo është një formë minimi, por duhet të kuptojnë që politika vetëm rininë nuk e minon dot".

Edhe Maksim Meço deklaroi se kauza e studentëve përfshin gjithë klasën politike dhe një riformatim të sistemit, ku përfshihet edhe kreu i opozitës: "Ai bën punën e vet, ndoshta ai kërkon ta përvetësojë këtë". Ermal Hasimja mohoi që vendimi i pedagogëve të jetë marrë nën ndikimin e ndonjë force apo figure politike: "Vendimin e kanë marrë pedagogët, nuk e ka marrë as Partia Demokratike, as Lapaj, as Shehaj, askush".

Burimi: Top Channel