Koalicioni VLEN, i cili në korrik humbi drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Politikës Sociale gjatë riorganizimit të kabinetit qeveritar, tani po e paraqet si sukses marrjen e posteve të zëvendësministrave në këto dy dikastere.

Sipas burimeve të koalicionit, të cituara nga INA, pas bisedimeve me kryeministrin Hristijan Mickoski është arritur marrëveshja që VLEN-i të marrë pozicionet e zëvendësministrave në Shëndetësi dhe Politikë Sociale, me emrat e kandidatëve të dorëzuar tashmë për konfirmim përfundimtar.

Por ‘fitorja’ ka një çmim: për të mos ndryshuar peshën e përgjithshme në qeveri, VLEN-i duhet të heqë dorë nga dy poste të tjera zëvendësministrash – ai në Bujqësi, që pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së, dhe ai në Kulturë, që pritet t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM.

Me fjalë të tjera: koalicioni që hyri në qeveri me premtimin e faktorit vendimtar shqiptar, sot bën aritmetikë karrigesh me kryeministrin – jep dy zëvendësministra për të marrë dy të tjerë, ndërkohë që ministritë i ka humbur që në korrik.

Kryeministri Mickoski ka paralajmëruar se kompletimi dhe rokadat në eshallonin e dytë qeveritar do të përmbyllen brenda gjysmës së dytë të tetorit.

Nga premtimet për ndryshim te pazaret për poste: bilanci i deritanishëm i VLEN-it në qeveri po shkruhet më shumë me karrige sesa me vepra.

Burimi i fakteve: INA, përcjellë nga Porta7.