Irani ka zbuluar të martën një bilbord gjigant dhe banderola në Teheran me kërcënime të hapura ndaj jetës së presidentit amerikan Donald Trump — duke e çuar në një nivel të ri retorikën zyrtare të ekspozuar në kryeqytetin iranian, raporton AFP.

“Ne do ta vrasim Trumpin” shkruhet në bilbordin që ngrihet mbi Sheshin e gjallë Enghelab në Teheran, i cili e përshkruan presidentin amerikan pas hekurave me kokën e ulur. Një bilbord tjetër afër tregon Trumpin së bashku me zv/presidentin J.D. Vance, të dërguarin special Steve Witkoff dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me fytyra të gjakosura, para flamujve amerikanë dhe izraelitë të rrënuar.

Në Sheshin Tajrish në veri të Teheranit është hapur edhe një ekspozitë në ajër të hapur me piktura që e tallin Trumpin, ndërsa pranë saj është ngritur një qeli burgu e riprodhuar me një aktor që e imiton presidentin amerikan. Turma u mblodhën në shesh duke valëvitur flamuj të kuq dhe duke kërkuar hakmarrje për udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei, të vrarë në sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt. Teherani e akuzon Trumpin se ka synuar qëllimisht objekte civile gjatë luftës — pretendime që nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Bilbordet e sponsorizuara nga shteti janë një traditë e Iranit që nga revolucioni i vitit 1979.