Protesta në Tiranë është përshkallëzuar sërish në mbrëmje, në ditën e 12-të të protestës studentore, me përplasje të reja mes protestuesve dhe forcave të policisë në disa akse të kryeqytetit. Një grup të rinjsh është drejtuar drejt selisë së Partisë Socialiste, ku ka hedhur fishekzjarrë në drejtim të godinës, ndërsa forca të shumta policie janë vendosur përpara selisë për ta mbrojtur. Sipas Top Channel, fishekzjarrë janë hedhur edhe drejt efektivëve pranë Bankës së Shqipërisë, dhe policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Gjatë përplasjeve janë raportuar edhe të lënduar të rinj nga plumbat e gomës. Avokati Altin Goxhaj ka denoncuar se është goditur me plumb gome në gjoks gjatë protestës, duke akuzuar një efektiv policie se e ka qëlluar drejtpërdrejt me armë shotgun. “Mercenari i çufove më gjuajti me shotgun në shënjestër, mu në gjoks!”, është shprehur Goxhaj.

Pamje të rënda janë publikuar edhe nga një i ri që shfaqet me gjakderdhje në sy, pasi dyshohet se është goditur me plumb gome. I riu dëgjohet duke bërtitur nga dhimbjet, ndërsa për rastin ka reaguar nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili ka publikuar pamjet dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve. “Çmenduri!!! Të riun e godet policia me plumb gome në sy! Edi Rama është urdhëruesi dhe ekzekutori i kësaj dhune barbare”, shkruan Këlliçi.

I lënduar ka mbetur edhe gazetari Klevin Muka, i cili është goditur nga uji me solucion i hedhur nga policia. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit, duke e cilësuar një akt kriminal dhe një atentat ndaj lirisë së medias, si dhe një akt hakmarrjeje primitive. “Dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar, atentat ndaj lirisë së mediave!”, shkruan Berisha.

Ndërkohë, protestuesit janë shpërndarë në akset kryesore të Tiranës, ndërsa një pjesë e tyre po marshon drejt Rrugës së Kavajës. Grupe të tjera ndodhen në Rrugën e Durrësit dhe pranë sheshit “Skënderbej”, në zonën e Bankës së Shqipërisë, ku herë pas here janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, me hedhje fishekzjarrësh dhe bombash molotov nga protestuesit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si kërkesën e tyre të panegociueshme.

Burimi: Report TV / Top Channel