Erjon Vishkulli është 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës së sotme në Tiranë. Pamjet e tij me fytyrën e mbuluar nga gjaku qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale. Ai u dërgua në spital, ku, sipas raportimeve, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar të plotë për gjendjen e tij shëndetësore. Vishkulli është një emër i njohur për tifozët e futbollit shqiptar, pjesë e grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, që prej vitesh ndjek Kombëtaren shqiptare. Rrethanat e goditjes dhe përgjegjësia për përdorimin e plumbit të gomës mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet, ndërsa shqetësimi kryesor është nëse dëmtimi do të ketë pasoja për shikimin e tij.

Nga Spitali Universitar i Traumës ka reaguar deputeti demokrat Tritan Shehu, duke folur për dhunë ekstreme dhe joproporcionale ndaj protestuesve. Sipas tij, sot në Traumë ka protestues me plagë të rënda — nga oftalmologjia te kirurgjia e përgjithshme, ortopedia dhe trauma në kokë — të cilët janë shtruar në disa ndërhyrje kirurgjikale dhe trajtime të ndryshme. Ajo që bie në sy, thotë Shehu, është përdorimi i plumbave të gomës jashtë çdo kriteri: të lënduar me plagë të rënda në sy, në këmbë, në gjymtyrë dhe në pjesën ballore të kokës, jashtë çdo të drejte për përdorim force nga policia, e cila ka kufizimet, indikacionet dhe mënyrat e saj të përdorimit pa rrezikuar jetën e njerëzve, siç ndodhi këtu. “Një dëmtim në sy është dëmtimi më i rëndë i syrit”, thekson ai, duke e quajtur situatën një ngjarje të dhimbshme që tregon shkelje të të drejtave të njeriut, të protestuesve dhe të demokracisë në Shqipëri.

Mbrëmja solli edhe incidente të tjera: një kioskë pranë qendrës së Tiranës u përfshi nga flakët pasi protestuesit i vunë zjarrin, mes hedhjes së fishekzjarrëve dhe molotovëve dhe përplasjeve me policinë. Ndërkohë, një vajzë e re, vullnetare që gjatë ditës ka ndihmuar të lënduarit e protestës, është rrëzuar në tokë pasi dyshohet se është asfiksuar nga gazi lotsjellës i hedhur në masë. Studentët e Mjekësisë i kanë ardhur në ndihmë, duke i ofruar ndihmën e parë; ata kanë ngritur vullnetarisht një stacion të ndihmës së parë në zonën e Parkut Rinia. Për rastin ka reaguar edhe deputetja Jorida Tabaku: “Dhuna disproporcionale e policisë dhe gazi që ka mbytur protestuesen!”

Burimi: Politiko.al / Report TV / Top Channel