Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një rregullore të re për regjimin e vizave, e cila përcakton kushtet për hyrjen, tranzitin dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në këtë vend. Rregullorja do të fillojë të zbatohet më 1 nëntor 2026.

Sipas tekstit të rregullores, shtetasit e shumë vendeve do të mund të hyjnë në Mal të Zi, të kalojnë transit dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë pa vizë, me dokument udhëtimi të vlefshëm. Në mesin e tyre janë shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë dhe Australisë.

Rregullorja ruan mundësinë e hyrjes në Mal të Zi me letërnjoftim të vlefshëm për shtetasit e vendeve anëtare të BE-së, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Maqedonisë, Norvegjisë, Serbisë, Zvicrës dhe disa vendeve të tjera. Ata do të mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë, vetëm me letërnjoftim.

Gjithashtu, të huajt që posedojnë vizë të vlefshme të zonës Shengen, apo vizë nga Australia, Japonia, Kanadaja, Zelanda e Re, Irlanda, SHBA-ja ose Mbretëria e Bashkuar, do të mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë pa vizë të posaçme malazeze. Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, dokumenti i mëparshëm për regjimin e vizave pushon së vlefshmi.

Burimi: Zhurnal.mk