Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka kërkuar paraburgim të ri afatshkurtër prej 48 orësh për katër të dyshuarit për dy grabitje me pasoja vdekjeje në kryeqytet. Bëhet fjalë për ngjarjet në lagjet Hrom, më 22 tetor, dhe Gjorçe Petrov, më 27 tetor.
Të dyshuarit u arrestuan më 28 tetor: A.S. (22), H.E. (20) dhe K.A. (58), të tre nga Shkupi, si dhe M.R. (26) nga Strumica. Arrestimet u realizuan në koordinim me Prokurorinë e Shkupit dhe me urdhra të saj, për sigurimin e materialit provues.
Hetimi vazhdon, ndërsa prokuroria po mbledh prova dhe po ndërmerr veprime shtesë hetimore për zbardhjen e plotë të rasteve.
Burimi: Republika



