Një kompani nga Sllovenia ka kërkuar ndihmë për gjetjen e një automjeti luksoz BMW X6 të bardhë, të vitit 2021, i cili dyshohet se mund të jetë sjellë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe rajonin e Tetovës. Automjeti, me vlerë të paktën 55.000 euro, ishte dhënë me qira nga kompania CDA Rental Solutions nga Izola, por nuk u kthye në kohën e paraparë.

Bëhet fjalë për një BMW X6 me targa sllovene LJ 97-IVJ. Sipas kompanisë, personi që e kishte marrë me qira më vonë kishte deklaruar se ishte grabitur dhe se makina i ishte marrë nga persona të panjohur. Rasti po hetohet nga autoritetet policore në Koper të Sllovenisë.

Dyshimi se automjeti mund të ndodhet në Maqedoninë e Veriut lidhet me faktin se personi që e kishte marrë me qira është edhe shtetas i Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim se makina ndodhet në vend, ndërsa kompania paralajmëron se targat mund të jenë hequr ose zëvendësuar dhe ofron shpërblim për informacione që ndihmojnë gjetjen e saj.

Burimi: Zhurnal.mk