Një gazetar i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters është qëlluar me plumb gome gjatë protestës që po zhvillohet në Tiranë, në ditën e 12-të të protestës studentore. Ngjarja vjen në një moment kur situata në kryeqytet është përshkallëzuar dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë intensifikuar, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit.

Po ashtu, profesori Lush Susaj është plagosur gjatë protestës në Bulevard, pasi është qëlluar me plumba gome gjatë përplasjes mes policisë dhe protestuesve. Ai ka marrë një plagë dhe po merr trajtim mjekësor. Gjatë protestës së sotme studentore, policia ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave, ndërsa protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Reagim ka ardhur edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila pretendon se policia ka përdorur municion me zara hekuri kundër protestuesve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho ka publikuar pamje të disa objekteve që, sipas saj, janë përdorur nga efektivët gjatë ndërhyrjes ndaj turmës, duke i cilësuar ato si “plumba me zara hekuri” dhe duke kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve. “Ja plumbat me zara hekuri! Këto janë disa nga mjetet me të cilat policia kriminale ka goditur protestuesit! Ku është Prokuroria? Kërkohet hetim i menjëhershëm, për të identifikuar personat përgjegjës dhe për t’i vënë ata para drejtësisë. Askush nuk është mbi ligjin!”, shkruan Xhixho.

Ndërkohë, në mbrëmje një grup protestuesish është rikthyer pranë Bulevardit në Tiranë, ndërsa policia ka hedhur disa gaz lotsjellës në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe është munduar t’i largojë edhe me presion uji. Më herët, protestuesit u grumbulluan në lulishten e sheshit “Skënderbej”, pranë institucioneve shtetërore dhe në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, ku u raportua për djegie koshash mbeturinash dhe bllokim të qarkullimit.

Burimi: Report TV / Top Channel