Drejtoria e Doganave ka sekuestruar 135 kilogramë duhan të prerë dhe 30 litra alkool gjatë kontrolleve në tregun e gjelbër në Çair të Shkupit, pasi për këto mallra nuk ishte paguar akciza.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë të Shkupit dhe ekipet mobile kontrolluan tezgat e tregut, ku kapën tre persona që shisnin produkte akcize pa pulla akcize. Vlera e akcizës së shmangur llogaritet në 337.558 denarë.
Kundër dy personave janë paraqitur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa ndaj të tretit, që shiste mallra me akcizë të shmangur prej rreth 257 mijë denarësh, pritet kallëzim penal. Dogana thotë se kontrollet e shtuara në tregun e brendshëm synojnë luftën kundër tregtisë së paligjshme të duhanit.
Burimi: Alsat



