Protesta e studentëve hyn sot në ditën e 12-të, ndërsa në Tiranë zhvillohet tubimi kombëtar i paralajmëruar prej ditësh.

Studentët nga qytetet e tjera, të cilët gjatë javës kanë protestuar pranë universiteteve të tyre, pritet të udhëtojnë drejt Tiranës gjatë ditës së sotme për t’iu bashkuar tubimit në kryeqytet. Grupet studentore të Tiranës po koordinohen me studentët e rretheve për të organizuar pjesëmarrjen.

Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik, në shenjë solidariteti me studentët dhe kërkesat e tyre. Edhe Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së 24 tetorit: përmes një thirrjeje publike, ajo u ka bërë apel anëtarëve, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias që të mblidhen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.

Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 t’i bashkohen protestës në mbështetje të studentëve. Në orën 14:00 pritet të bashkohen grupet studentore në tubimin e paralajmëruar përpara Kryeministrisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga ftesa për dialog. Kreu i qeverisë ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihet se para Kryeministrisë ka vendosur një “tavolinë” dhe në të ka lënë letrat ku është shkruar fjala “dialog”.

“Mirëmëngjes”, ka shkruar Rama krahas videos së postuar mëngjesin e kësaj të shtune në Facebook.

Karriget dhe stolat prej guri që çdo ditë Rama ka vendosur para Kryeministrisë për protestuesit, që të ulen në dialog, janë refuzuar nga këta të fundit.

Prej ditësh, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Ndërkohë Rama është shprehur se nuk e jep dorëheqjen, ndërsa shton se është i gatshëm për dialog.

Burimi: Top Channel / Report TV