Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të karburanteve, që hynë në fuqi të enjten, më 29 tetor, në orën 15:00. Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 212 lekë për litër në shitje me pakicë, ndërsa benzina me jo më shumë se 181 lekë për litër.
Në shitje me shumicë, çmimi tavan për naftën është 200 lekë për litër dhe për benzinën 169 lekë për litër. Çmimet e përcaktuara do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të pasqyrohen ndryshimet e radhës.
Bordi u bën thirrje operatorëve t’i zbatojnë çmimet e vendosura, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Vendimi u mor në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve dhe synon, sipas institucioneve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme.
Burimi: Top Channel



