Pjesa e bulevardit mes Piramidës dhe policisë është kthyer në një skenë lufte mes policisë dhe protestuesve në ditën e pestë të protestës së dhunshme. Protestuesit duket se kanë arritur të organizohen dhe të fitojnë një epërsi ndaj policisë, e cila është surprizuar jo pak nga agresiviteti i papritur prej afro një ore.
Me goditjet e tyre me gurë në mënyrë masive, protestuesit e zmbrapsën policinë dhe thyen xhamin e një prej autobotëve të ujit. Më pas policia e zgjeroi rrezen e vet të veprimit dhe u hap nga Piramida me forcat Shqiponja, të cilat u hasën me sulmin e protestuesve të vendosur mbi Piramidë.
Forcat Shqiponja ndërmorën më pas një ofensivë për të bërë shoqërime, por protestuesit arritën të largoheshin dhe të grumbulloheshin në një grup së bashku, duke prishur planin e policisë në këtë rast.
Së fundmi policia po avancon drejt parkut Rinia, me protestuesit që qëndrojnë të grumbulluar dhe vijojnë të sulmojnë. Një i mitur u kap nga FNSH dhe u shoqërua, teksa një vajzë dhe një efektiv i Ndërhyrjes së Shpejtë u panë të lënduar.
Burimi: Top Channel




Leave a Reply