Kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka marrë zotim nga zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me theks të veçantë zgjerimin e rrugës Stençe–Gurguricë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Huseini i ka paraqitur zëvendësministres nevojat e banorëve të Gurguricës, si dhe zotimet që u ka dhënë atyre gjatë fushatës zgjedhore. “Ministre, ne jemi në fushatë dhe ngutemi pak. Unë u kam dhënë disa premtime atje poshtë dhe pa juve nuk mund t’i realizoj. Shumë e rëndësishme është rruga Stençe-Gurguricë dhe disa projekte të tjera. Ju lutem që t’i shqyrtoni dhe t’i keni parasysh”, ka deklaruar Huseini.

Nga ana e saj, zëvendësministrja Zekolli Shaqiri ka siguruar se mbështetja për Bërvenicën do të vazhdojë edhe në projektet e ardhshme, duke përmendur 14 projekte të mbështetura deri më tani, me vlerë prej 1.5 milion eurosh. “Do të vazhdojmë të mbështesim edhe ato pjesë të rrugëve që kanë ngelur dhe që janë në nevojë të banorëve të asaj zone. Ti më përmende pjesën e fshatit Gurguricë, kështu që ke mbështetjen tonë”, ka deklaruar ajo.

Huseini e ka cilësuar këtë zotim si garanci për realizimin e projektit, duke theksuar se zgjerimi i rrugës Stençe–Gurguricë është një nga prioritetet kryesore për këtë vendbanim dhe se projekti është tërësisht në shërbim të banorëve të Bërvenicës.

Rruga Stençe–Gurguricë konsiderohet arterie e rëndësishme për lëvizjen e banorëve të zonës, dhe zgjerimi i saj pritet të lehtësojë qarkullimin dhe të rrisë sigurinë në trafik. Premtimet infrastrukturore janë kthyer në temë qendrore të fushatës për zgjedhjet lokale në Bërvenicë, të cilat mbahen pas humbjes tragjike të jetës së kryetarit të mëparshëm të komunës.

Burimi: Gjurme.info