Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për ndërtimin e terrenit multifunksional në hapësirat e Gjimnazit të Tetovës. Njoftimi u bë përmes një statusi në rrjetet sociale, ku Kasami ka ndarë edhe fotografi nga terreni ku po zhvillohen punimet.
“Me këto fotografi nga fusha e Gjimnazit të Tetovës, ku puna për ndërtimin e terrenit multifunksional po vazhdon, ju uroj fundjavë të mbarë!”, ka shkruar Kasami, duke sinjalizuar se projekti po ecën sipas planit.
Ndërtimi i terreneve sportive multifunksionale pranë shkollave të mesme konsiderohet një investim i rëndësishëm për të rinjtë e qytetit, të cilët prej vitesh ankohen për mungesën e hapësirave të përshtatshme për aktivitete sportive dhe rekreative. Terreni i ri pritet t’u shërbejë jo vetëm nxënësve të gjimnazit, por edhe komunitetit më të gjerë sportiv të Tetovës.
Komuna e Tetovës muajt e fundit ka intensifikuar investimet në infrastrukturën arsimore dhe sportive, në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e kushteve në shkolla. Projekte të tilla shihen si pjesë e angazhimit të pushtetit lokal për t’u ofruar të rinjve alternativa të shëndetshme dhe për të nxitur zhvillimin e sportit shkollor.
Mbetet për t’u parë afati i përfundimit të punimeve dhe momenti kur terreni do të vihet plotësisht në funksion të nxënësve dhe qytetarëve.
Burimi: Gjurme.info




Leave a Reply