Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova, ka deklaruar se Bullgaria nuk ka marrë pjesë në asnjë konsultim që synon rishikimin e detyrimeve që Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deklarata u bë gjatë një seance pyetjesh parlamentare në Kuvendin Kombëtar bullgar, kushtuar gjendjes aktuale të marrëdhënieve mes Sofjes dhe Shkupit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Sipas raportimeve, ministrja bullgare ka hedhur poshtë pretendimet se Bullgaria po diskuton apo po shqyrton ndryshimin e kushteve dhe detyrimeve tashmë të dakordësuara. Ajo ka theksuar se pozicioni i Sofjes mbetet i pandryshuar: zbatimi i detyrimeve të marra në vitin 2022 përfaqëson të vetmen rrugë të mundshme për përparimin e vendit fqinj drejt anëtarësimit në BE.

Petrova ka nënvizuar se Bullgaria nuk ka vendosur kërkesa shtesë përtej kornizës evropiane të vendosur, por këmbëngul që marrëveshjet ekzistuese të respektohen në mënyrë strikte dhe që të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut të garantohen plotësisht. Gjatë kontrollit parlamentar, ajo ka mbrojtur koherencën e politikës së jashtme bullgare ndaj Shkupit, duke afirmuar se marrëdhëniet e qëndrueshme të fqinjësisë së mirë dhe besimi i ndërsjellë mund të ndërtohen vetëm përmes veprimeve konkrete dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shkupit.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pas takimit të 8 tetorit në Sofje mes ministres Petrova dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, i cili u zhvillua në margjinat e konferencës ndërkombëtare ministrore për Korridorin VIII. Takimi u përshkrua si konstruktiv, por nuk solli përparim në çështjen e amendamenteve kushtetuese që bllokojnë hapjen e kapitullit të parë të negociatave, atij të “Themeltarëve”.

Kujtojmë se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor, i kishte thënë kryeministrit Hristijan Mickoski se përparimi evropian i vendit varet nga miratimi i ndryshimit kushtetues që përfshin bullgarët në komunitetet e përmendura në Kushtetutë. Ajo kishte bërë të ditur gjithashtu se vendi ka përfituar 140 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe se, sapo procesi të zhbllokohet, Brukseli do të përgatisë një udhërrëfyes për Shkupin.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut këmbëngul se kërkon garanci se përmbushja e detyrimeve do të çojë në përparim real në negociatat e anëtarësimit, pa kushte shtesë që lidhen me gjuhën, identitetin kombëtar, historinë apo kulturën. Dy palët kanë rënë dakord të vazhdojnë dialogun, por mbeten larg një marrëveshjeje thelbësore.

Burimi: News Horizon