Tikveshi ka shënuar fitore bindëse 3-0 ndaj Bregalnicës në ndeshjen e xhiros së nëntë të Ligës së Parë maqedonase të futbollit dhe është ngjitur në vendin e tretë të tabelës, në pritje të ndeshjeve të tjera.
Kavadarasit e hapën rezultatin që në minutën e tretë, kur Laval tundi rrjetën për avantazhin 1-0. Në minutën e 16-të, me autogolin e Temelkovit, vendasit e dyfishuan epërsinë në 2-0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Bregalnica nuk arriti të kthehej në lojë, ndërsa Lusianinjo në minutën e 85-të vendosi rezultatin përfundimtar 3-0 dhe vulosi triumfin bindës të Tikveshit.
Statistika pasqyron epërsinë e skuadrës vendase. Tikveshi gjuajti 11 herë, nga të cilat katër brenda kuadratit, ndërsa Bregalnica pati gjashtë tentativa, por asnjë brenda portës vendase. Kavadarasit patën edhe posedim më të madh të topit, 54 për qind kundrejt 46 për qind.
Me tre pikët e reja, Tikveshi u ngjit në kuotën e 16 pikëve dhe u fut mes tri skuadrave kryesuese, ndërsa Bregalnica pas humbjes së thellë ra në vendin e shtatë me 10 pikë. Pamja përfundimtare e tabelës pas xhiros së nëntë do të dihet pas zhvillimit të ndeshjeve të mbetura.
Burimi: MNet




Leave a Reply