Kampionët e Shqipërisë në futboll, Egnatia, po numërojnë ditët drejt mbrëmjes më të rëndësishme në historinë e klubit. Më 15 tetor, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, skuadra rrogozhinase do të debutojë në fazën e ligës së UEFA Conference League, përballë danezëve të Midtjylland.
Para këtij momenti historik, klubi ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh motivues për ekipin dhe tifozët, me të cilin kërkon mbështetjen e tyre për të vazhduar përtej kësaj faze në kompeticionin evropian.
“Rruga drejt grupeve të UEFA Conference League ishte e mbushur me emocione, sakrifica dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën tonë. Por historia nuk mbaron këtu… Tani është koha për më shumë emocione, më shumë pasion dhe më shumë krenari! Tifozë të Egnatias, bëhuni gati, sepse rrugëtimi ynë vazhdon dhe emocionet sapo kanë filluar! Bashkë, drejt sfidave të reja!” – thuhet në postimin e kampionëve të Superiores.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede e siguroi kualifikimin historik pas një fushate të gjatë kualifikuese, duke u bërë klubi i parë shqiptar që arrin fazën e ligës së Conference League në këtë format të ri të kompeticionit.
Pas duelit me Midtjylland, Egnatian e presin edhe pesë sfida të tjera në fazën e ligës: përballë Aarhus AGF, Universitatea Craiova, Lincoln Red Imps, Kauno Žalgiris dhe Bragës. Ndeshja e parë, ajo ndaj Midtjylland, do të luhet në “Air Albania” dhe do të nisë në orën 20:45.
Klubi ka njoftuar gjithashtu se biletat për ndeshjen historike janë në shitje dhe tifozët mund t’i sigurojnë ato përmes platformës së shitjes online, për të qenë të pranishëm në tribunat e stadiumit kombëtar në një natë që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit shqiptar.
Egnatia do të paraqitet në këtë kompeticion edhe me një identitet të ri vizual, pas marrëveshjes trevjeçare me markën italiane të veshjeve sportive “Magma Group”, e cila do të jetë partneri teknik i klubit vetëm për ndeshjet evropiane.
Burimi: Newsport.al




Leave a Reply