Shkup, 10 tetor – Rasti i dhunës së pretenduar policore ndaj dy të rinjve shqiptarë më 7 tetor në Shkup ka shkaktuar reagime të ashpra politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar hetim të menjëhershëm, transparent dhe të paanshëm për të gjitha rrethanat e ngjarjes, duke vënë në dukje kundërthëniet mes raportit të brendshëm policor dhe dëshmive të dy të rinjve, 21 dhe 23 vjeç. Partia kërkon që hetimi të sjellë përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë dhe thekson se përgjegjësia duhet të shtrihet edhe në nivelet drejtuese – për këtë kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni. “Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion!”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Qëndrim edhe më të ashpër ka mbajtur Lidhja Shqiptare, e cila e dënon dhunën e pretenduar dhe kërkon që rasti të mos trajtohet vetëm përmes procedurave disiplinore ndaj policëve. Sipas kësaj partie, duhet hetim penal, përgjegjësi komanduese dhe politike – përfshirë dorëheqjen e ministrit Pançe Toshkovski dhe të zëvendësministrit Iseni – si dhe angazhimin e institucioneve ndërkombëtare si misioni i OSBE-së, Komiteti i Helsinkit dhe përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe SHBA-së.
Nga ana tjetër, zëvendësministri Iseni ka deklaruar se pretendimet duhet të zbardhen plotësisht dhe se do të ketë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje, duke theksuar se Kontrolli i Brendshëm po heton rastin.
Burimet: Timoni.al, Fax.al, INA Online




Leave a Reply