Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke bërë thirrje për vaksinimin me kohë të fëmijëve. Nga 16 prilli deri më 25 tetor 2026 janë konfirmuar gjithsej 242 raste me fruth, prej të cilave 18 vetëm gjatë javës së fundit.

Sipas institutit, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola. Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, ndaj prindërve u kërkohet të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe ta plotësojnë çdo dozë të humbur.

Burimi: Zhurnal